Të enjten seanca e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

 

Kuvendi i Kosovës, të enjten në orën 10:00 do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, siç u informua nga Kuvendi, do të  ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Pas interpelancës, Kryesia vendosi pikë të rendit të ditës edhe propozimin e Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

“Kryesia po ashtu futi si pikë të rendit të ditës në seancë votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Ndërsa Kryesia vendosi që debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, pikë që nuk ishte diskutuar në seancën e 6 majit për shkak të mungesës së iniciuesit, si dhe debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID—19, të zhvendosen për një datë tjetër.”, u bë e ditur në komunikatë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia po ashtu procedoi për në Qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr.05/L-132 për Automjete. Po ashtu miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2021, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere./21Media

Back to top button