Paraburgim për ferizajasin që e kërcënoi vëllain

 

Pas kërcënimit që i bëri të vëllait duke i  thënë se “një okfirë ka me zbrazë në ty” Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit ndaj A.K nga Ferizaj në kohëzgjatje prej një muaji.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Divizionit Penal – Imri Sejda, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 20.05.2021 në Ferizaj, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ka kanosur seriozisht me fjalë dhe gjeste të dëmtuarin- vëllain e tij H.K., në atë mënyrë që disa ditë më parë përmes telefonit i ka dërguar sms dhe e ka kanosë me fjalët se: “një okfirë ka me zbrazë në ty”, pastaj nën posedimin e armës të llojit HS me caliber 9 MM, ka lëvizur me armë në shtëpinë e tyre dhe kjo kanosje kishte ardhur rreth një borxhi në mes tyre dhe me këtë i ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një  muaji./21Media

Back to top button