Paraburgim për personin që falsifikoi para

 

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.K

“I pandehuri E.K dyshohet se më datë 23.01.2021, në dy këmbimore të ndryshme, në Pejë, pasi merren vesh për të vënë në qarkullim para të falsifikuara dhe duke qenë në dijeni për cilësinë e tyre, i vënë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që të njëjtit pasi paraprakisht ishin marrë vesh mes vete, i dyshuari N.G hyn në këmbimore dhe aty këmben kartëmonedha dollarë amerikan të dyshuara si të falsifikuara, për çka të dy këmbimoret në emrin e tij lëshojnë edhe dëftesë mbi blerjen e valutave. Me këto veprime i pandehuri E.K dyshohet se në bashkëkryerje kishte për të kryer veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 296, par. 2, lidhur me nenin 31, të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Bashkëkryerësit e tjerë gjende ende në arrati ndërsa, të pandehurit E.K i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se në këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet edhe ndaj personave të tjerë, e të cilët pritet që të dëgjohen para prokurorit në cilësinë e të pandehurit si dhe do të dëgjohen dëshmitarët e rastit, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në zhvillimin e drejtë të procedurës hetimore, duke ndikuar në të pandehurit dhe dëshmitarët e me qëllim të zvogëlimit apo përjashtimit të përgjegjësisë penale.

“Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë veprën penale apo të kryejnë vepër të re penale. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate”, thuhet në njoftim.

Back to top button