Paraburgim për personin që sulmoi seksualisht djalin e mitur

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj të pandehurit F.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual”.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se me datë 24 korrik në orët e hershme të mëngjesit, me dashje prek dhe e sulmon seksualisht të dëmtuarin – personin nën moshën 16 vjeç. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Duke marrë parasysh faktin se procedura hetimore është në fazën fillestare, në vazhdimësi duhet të merren edhe prova tjera me qëllim të zbardhjes së rastit, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit me qëllim që të parandaloj pengimin e rrjedhës së hetimit, dhe ndikimit në prova apo deklarata të dëshmitarëve”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button