Paraburgim për shtetasin serb që u arrestua në Gazimestan

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Nikolla Nedelkoviqit nga Beogradi, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 28 qershor, në Gazimestan afër Prishtinës, për “nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare”. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Më aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2022, është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, nga neni 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, derisa, më 29 qershor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit për veprën penale të lartcekur, me propozimin për caktim të masës së paraburgimit, në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj për rtv21.tv.
Ndërsa, sot të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, këtë e ka konfirmuar për rel avokatja, Jovana Fillipoviq.
Më 28 qershor, disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit u mblodhën në Gazimestan për të shënuar Ditën e Shën Vidit.
Po atë ditë Policia e Kosovës ua ka ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës dhjetë shtetasve të Malit të Zi, për shkak se pranë tyre janë gjetur rroba me mbishkrime që “nxisin urrejtje”./21Media

Back to top button