Paraburgim për të dy të miturat në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve ndaj dy të miturave për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të miturave ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: Se në javën e dytë të muajit janar 2022, në ambientet e një shkolle të mesme në Prizren, në bashkëkryerje seriozisht e kanosin personin tjetër me vepra apo gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme mes viktimës – të dëmtuarës, dhe të miturave L.C., dhe E.J., fillimisht e dërgojnë të dëmtuarën prapa shkollës e më pas e kërcënojnë me armës – thikë, (e mitura E.J.,) me anë të një brisku me teh prej 7 cm, kështu të dëmtuarës i shkaktojnë frikë, ankth dhe pasiguri”, thuhet në njoftim.
“Kurse me datë 25 janar në orët e mesditës, në ambientet e shkollës e mitura E.J., mban në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët e tilla, ashtu që me ta arritur policia në lokacionin në fjalë, të njëjtës në çantën e saj ia gjejnë: një brisk, me teh prej 7 cm, e cila edhe i është sekuestruar nga ana e policisë, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka thënë se gjyqtarja ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale dhe ambientin në të cilin janë kryer këto vepra penale respektivisht në hapësirat e oborrit të shkollës së mesme.
“Gjithashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe forma e kryerjes së këtyre veprave penale, duke poshtëruar dhe përulur të dëmtuarën me detyrim nën kërcënimin e thikës, ndikimin negativ në opinion të këtij rasti pasi që video incizimet janë bërë publike dhe ka krijuar ndenjen e frikës dhe pasigurisë ndaj këtyre dukurive që ndodhin në institucionet arsimore, tregojnë rrezikun se në këto rrethana nëse i të miturat lihen në liri mund të përsërisin edhe ndonjë vepër tjetër penale kundër të dëmtuarës me pasoja më të rënda”, thuhet në njoftim./21Media
 

Back to top button