Paraburgosen shtetaset e huaja për prostitucion dhe sulm ndaj personit zyrtar
Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaji kundër dy të pandehurave B.K dhe A.P , për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mundësim dhe detyrim në prostitucion” si dhe e pandehura A.P dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Siç informoi sot Gjykata Themelore në Prishtinë, B.K dhe A.P janë shtetase të huaja.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurave B.K dhe A.P e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtave iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilën veç e veç, të pandehurave masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se nëse të pandehurat lihen në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës duke mos ju përgjigjur ftesave, po ashtu ekziston rreziku i ikjes së tyre, pasi që të njëjtat janë shtetase të huaja.”, u bë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media