Paralajmëron presidenti i SHBA-së

Trump tha se së shpejti do të kumtojë vendimin për marrëveshjen për klimën

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi para gazetarëve se shumë shpejtë do të kumtoi vendimin për atë se a do të tërhiqen Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës.

Duke ju përgjigjur gazetarëve në zyrën ovale, Trump tha se rreth kësaj çështje ka dëgjuar shumë mendime si nga njëra palë, ashtu edhe nga tjetra, por nuk pranoi të qartësoi se a ka marrë tashmë ndonjë vendim.

As zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer nuk dëshiroi të përgjigjet në pyetjen se a ka vendosur presidenti amerikan të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit, përkundër raportimit të mediave se Uashingtoni ka vendosur të tërhiqet.

Ndërkohë, Kina dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar se gjatë samitit që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bruksel, se janë të gatshme që të mbështesin në tërësi marrëveshjen për klimën, përkundër tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan rtv21.tv

Gjatë kohës së administratës së Barak Obamës, Washingtoni dhe Pekini u rreshtuan në të njëjtën anë dhe ishin shtyllat kryesore të marrëveshjes në dhjetor të vitit 2015, me të cilën 196 shtete u obliguan që të marrin masa për të kufizuar ndotjen e ajrit, për të ndalur ngrohjen globale.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëri prej ndotësve më të mëdhenj të ambientit në botë, do të ishte një goditje e rëndë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe atë vetëm një vit e gjysmë pas nënshkrimit të marrëveshjes, e cila pas nënshkrimit u cilësua si historike./21Media

Back to top button