Moti i ndryshueshëm në vendin tonë do të mbajë gjatë kësaj jave.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), bënë të ditur se të hënën pritet të ketë vranësira të përcjellura edhe me reshje shiu e shkarkime rrufesh.

Ndërsa nesër do të jetë më freskët, kurse nga e mërkura sërish do të dalë diell dhe do të rriten temperaturat.

“Do të mbajë mot i ndryshueshëm. E hëna fillon me mot me diell, por gjatë ditës pritet një sistem vranësirash të dendura të përfshijnë territorin duke kushtëzuar mot të paqëndrueshëm i përcjellur me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Shtrirja e reshjeve kuptohet nuk do të jetë uniforme në gjithë vendin për shkak të orografisë që ka vendi ynë, por që sasitë e reshjeve do të jenë më të theksuara në jug perëndim dhe veriperëndim. Pas reshjeve pritet të ketë intervale me diell por që vranësirat do të mbeten të theksuara në gjithë territorin, më shumë rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të jenë pothuajse tipike vjeshtore, deri sa ato maksimalet do të variojnë pak mbi vlerat e normales”, thuhet në njoftimin e IHK.

Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin ndërmjet 7-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-24 gradë Celsius. Indeksi UV do të shënoj vlera mesatare, prandaj nuk ka rrezik të jemi në kontakt direkt me diellin. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë në pjesën veriperëndimore, shpejtësia maksimale e së cilës mund të arrijë deri 20 m/s, ndërsa pjesa qendrore e vendit me rrethinë parashihet të fryjë erë me shpejtësi deri 11 m/s

28.09 – Mot i ndryshueshëm, me erë, vranësira dhe diell, kohë paskohe me reshje lokale shiu.

29.09 – Kryesisht me vranësira dhe freskët. Kohë paskohe me reshje lokale shiu.

30.09 – Kryesisht me vranësira, pa reshje. Në mbrëmje kthjellime.

1.10 – Paradite vranësira kalimtare. Ditën kryesisht me kthjellime.

2.10 – Mot i mirë, kryesisht me diell, me pak vranësira orëve të pasdites.