Parregullsi në produkte të naftës, mashtrime dhe pezullim të lejeve
Dogana e Kosovës ka kryer analiza dhe kontrolle te katër subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari njoftoi se Dogana ka gjetur parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit.
Ajo po ashtu tregoi se Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet këtyre katër subjekteve, shkruan rtv21.tv
“Disa nga subjektet u kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”, tha Hajdari.
Këto veprime e mosveprime, sipas ministres, përbëjnë shkelje të ligjit.
“Duke u mbështetur në faktet që ka konstatuar Dogana, ne si ministri kemi revokuar dhe pezulluar të katër subjekteve lejet për importin e lëndëve së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final, si dhe shitjen me shumicë të produktit final që është vaji i rëndë ose azut”, shtoi ministrja.
Hajdari përmendi se njërit subjekt i është pezulluar edhe leja për importin e vajrave të rënda.
“Ndaj po të njëjtit subjekt po zhvillojmë tani procedurat për mashtrim në cilësinë e karburantit që subjekti ua ka shitur institucioneve publike”, tha ajo në konferencë për media.
Gjatë javëve të fundit janë testuar disa mostra të dizellit në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Aty, ministrja tha se me Inspektoratin e Tregut kanë gjetur shumë raste të jo konformitetit.
“Në një rast kemi gjetur dizell me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramë për kilogramë, që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligramë/kilogramë”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se për këto raste do të njoftojnë Prokurorinë./21Media