Pushteti i Kurtit mund ta vonojë, por nuk mund ta ndalojë hetimin parlamentar për krizën energjetike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që pushteti i shumicës, shkel të drejtën e pakontestueshme për hetim parlamentar, si një e drejtë kushtetuese për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe institucioneve nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se bllokimi nga ana e shumicës parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shkelje brutale e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nga mazhoranca dhe Qeveria Kurti.
“Kryeministri Kurti, përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për herë të dytë sot, e bllokoi miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me krizën energjetike në vend, duke shkelur haptas ligjin dhe Kushtetutën, diçka që tashmë është bërë traditë dhe praktikë e këtij Qeverie. Por, përkundër këtij insistimi të këtij pushteti për ta mbajtur fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë, sot ju themi se arroganca e numrave të pushtetit nuk mund ta ndaloj nxjerrjen në dritë të së vërtetës”, tha ai në konferencë për media.
Krasniqi theksoi se është evidente që Qeveria Kurti po bën çdo përpjekje të mundshme për ta pamundësuar hetimin që e ka kërkuar PDK-ja me mbështetjen e deputetëve tjerë të opozitës.
“Pyetja e parë që në këtë rast përsëri imponohet dhe duhet të shtrohet është: çka janë duke fshehur nga opinioni publik që me kaq bindje po shkelin ligjin dhe Kushtetutën vetëm për të pamundësuar nxjerrjen e së vërtetës në dritë? Çfarë shkeljesh e krimesh potenciale janë duke mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar? Pse kryeministri Kurti po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove të taksave të qytetarëve për KEDS-in, hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të rrymës nga ZRRE, punësimet familjare dhe partiake në KEK, blerjen e rrymës me çmime më të larta se të tregut gjatë dimrit, shitjen e rrymës me çmime më të ulëta se të tregut e shumë shkelje e parregullsi tjera? Nëse s’kanë çfarë të fshehin, qoftë personalisht dhe si grup, pjesë e veprave penale potenciale dhe aferave e keqpërdorimeve në KEK dhe në veprimet e tjera rreth krizës energjetike, atëherë pse po e bllokojnë themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar?”, pyeti Krasniqi.
Kryetari i PDK-së konsideron se kjo nuk është vetëm përpjekje për fshehje të së vërtetës, por edhe precedent i rrezikshëm ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, andaj PDK do të përdorë çdo mjet demokratik për ta zbardhur të vërtetën lidhur me keqpërdorimet e bëra në periudhën e krizës energjetike.
“Këta kanë ditë të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t’i lejojmë të rrënojnë edhe parimet e demokracisë së shtetit tonë. Hetimi parlamentar është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që ju takon deputetëve. Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojnë, por nuk do të mund ta ndalojnë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që jane subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t’i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin”, tha Krasniqi./21Media

Back to top button