Partia Fjala nis fushatën pa tubime me qytetarë
Subjekti politik Fjala hapi fushatën zgjedhore në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u tha se programi i tyre fokusohet në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Kryetari i kësaj partie Gëzim Kelmendi, tha se subjekti që ai udhëheq do të zhvillojë fushatën ndryshe nga partitë e tjera e siç tha ai, duke mos organizuar tubime me qytetarë. Kjo pasi sipas Kelmendit, qytetarët janë lodhur nga tubime të tilla me premtime boshe.
Në hapje të fushatës, u tha se kandidatët e “Fjalës” do të takohen me qytetarët në mënyra të përveçme, ku secili prej tyre do të takojë qytetarë të rastit.
“Ne do t’i shkojmë në rrugë secilit qytetarë dhe do ta takojmë në rrugë secilin qytetarë, do të njoftohemi me problemet e tyre dhe do t’i prezantojmë kandidatët nga komuna e Prishtinës por edhe nga vendet e tjera… Ne Kosovës do t’i ofrojmë kandidaturë komplet intelektuale, të ndershme dhe të pakorruptuar”, u shpreh Kelmendi.
Sipas Kelmendit, Fjala në programin e saj ka tri pika kryesore që njëherit janë edhe gjithpërfshirëse, e ato janë: zhvillimi ekonomik, sundimi i drejtësisë, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kelmendi tregoi se drejtësinë e kanë vendosur si pikën e parë për shkak të shkatërrimit të tërësishëm të sistemit të drejtësisë, që sipas tij, iu është bërë deri më tani sistemit të drejtësisë në Kosovë. Madje ai tha se janë pasuruar politikanët, ndërsa, është varfëruar populli.
“Tri pikat kryesore janë sundimi i drejtësisë, ngase kemi mungesë të plotë të drejtësisë në Kosovë, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit….Kemi mungesë të plotë të shëndetësisë në Kosovë, duke përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, kemi politikanë të Kosovës që kanë marrë diplomë universitare pa e parë fakultetin kurrë me sy. Dosjet e tyre janë në EULEX, ndërsa EULEX-i i ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale dhe Prokuroria Speciale ende nuk i ka filluar hetimet ndaj tyre, për këtë arsye drejtësinë e kemi vendosë si shtyllë të parë”, tha Kelmendi.
Ndryshe, drejtuesit e Fjalës thanë se në këto zgjedhje do të garojë me 110-të kandidatë, ekspertë dhe magjistra të fushave të ndryshme.
Në fund, Kelmendi së bashku me struktura të tjera të kësaj partie, shpërndanë fletushka me emrat e kandidatëve për deputetë, në disa lokale në qendër të kryeqytetit, me ç’rast edhe treguan arsyet pse qytetari mund të votojë Fjalën.