“Partitë politike të respektojnë legjislacionin në fuqi gjatë fushatës zgjedhore”

 

Shumica e partive politike në fushatat e kaluara zgjedhore, vazhdimisht e kanë mbajtur të fshehtë shumën e saktë te shpenzimeve, burimet e financimit të fushatës zgjedhore, si dhe kanë tejkaluar shumën e përcaktuar nga KQZ-ja. Kjo qasje e partive politike, po konsiderohet e dëmshme, meqë dëmton imazhin e Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Kështu u tha sot në konferencën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën: Financimi i partive politike në Kosovë: Cilat janë problemet kryesore që po dëmtojnë transparencën dhe integritetin e financimit gjatë proceseve zgjedhore?”.

Hulumtuesja Njomza Arifi tha se janë rreth 1 milion euro, të cilat u janë lejuar partive politike për të shpenzuar në fushatë zgjedhore, por që sipas saj jo rrallë herë të njëjtat kanë tejkaluar këtë shumë.

“Sipas raporteve të auditorit të publikuara për herë të fundit në vitin 2017, asnjëra nga partitë kryesore nuk ishin vlerësuar në një opinion të pakualifikuar. Përkatësisht asnjëra nga këto nuk ka arritur që t’i paraqes pasqyrat financiare sipas standardeve të kërkuara të kontabilitetit, nuk kanë aplikuar procedura prokurimi për të gjitha blerjet dhe nuk kanë paraqitur dokumentacion mbështetës për vlera të larta të shpenzimeve. Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Respektimi i procedurave të tenderimit të mundësonte një shfrytëzim efikas, ekonomik, transparent, dhe më të drejtë të fondeve të partive politike”, theksoi ajo.

Tutje, Arifi tha se për zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit të vitit 2019, mungojnë raportet e auditorit, kjo pasi që Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dështoi të përzgjedhë auditorin e ri. Megjithatë, ajo potencoi se raportet e paaudituara financiare të publikuara të KQZ-së, në listat e emrave të donatorëve nuk figurojnë bizneset si financues.

“Raporti mes donatorit dhe partisë politike gjatë fushatës zgjedhore duhet të respektohet sipas legjislacionit në fuqi dhe të bëhet i ditur për publikun. Duke konsideruar të gjitha këto më lartë, një qasje e tillë nga partitë politike dëmton imazhin e Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtar. Rikujtojmë se raporti i fundit i Komisionit Evropian ka shfaqur shqetësime për gjendjen e financimit të partive politike në Kosovë, duke bërë thirrje për transparencë të shtuar në këtë aspekt”, shtoi ajo.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike u bëri thirrje partive politike që të jenë transparent në shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Hulumtuesja Lirika Agusholli u shpreh se partitë politike duhet të publikojnë të gjitha donacionet, qoftë edhe nga bizneset.

“Partitë politike duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara përaktivitetet e tyre në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik. Prandaj, duhet evituar të gjitha donacionet nga të cilat dhuruesi në mënyrë të qartë mund të përfitoj ndonjë avantazh ekonomik. Të gjitha donacionet të kenë të përfshirë emrin dhe numrin e regjistrimit për personat juridik, dhe për emrin, mbiemrin dhe adresën për personat fizik”, tha ajo.

Ndër tjera, Agusholli dekaroi se çdo parti politike duhet të autorizojë një zyrtar financiar që mban përgjegjësinë për regjistrimin e të ardhurave, shpenzimin e mjeteve, dorëzimin e raportit final të mjeteve të shpenzuara, e po ashtu përgatitjen e raportit financiar të fushatës zgjedhore.

Veç tjerash, GLPS u bëri thirrje partive politike që të respektojnë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe të bëjnë raportet e tyre financiare pa pasur nevojë për ndonjë presion të jashtëm. E po ashtu, që KQZ të shqiptojë gjoba për ato parti, të cilat vonohen në dorëzimin e raporteve financiare.

Back to top button