Pas gati dy orësh mes tensioneve dhe përplasjeve, përfundon protesta e opozitës

(Lajm i përditësuar)
Protesta e opozitës para Parlamentit ka përfunduar pas gati dy orësh.
Pasi Berisha doli nga Kuvendi, iu drejtua turmës ku edhe mori fjalën, duke akuzuar qeverinë për çështjen McGonigal.
Pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit janë shpërndarë.
Kujtojmë se ata u grumbulluan rreth orës 17:00 para Kuvendit. Protesta u shoqërua me incidente të shumta, ku demokratët u përplasën me forcat e policisë dhe duke hedhur në drejtim të tyre mjete piroteknike dhe tymuese.
​Tensione para Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë

​Është tensionuar situata në hyrje të Parlamentit. Protestuesit, të cilëve iu janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa më pas kanë nisur të hedhin tymuese.
Ndërkohë, mësohet se një efektiv policie është lënduar.
Protestuesit janë mbledhur këtë të hënë përballë parlamentit, aty ku ishte parashikuar të mbahej seanca plenare. Megjithatë, ajo është ndërprerë, pasi për shkak të një defekti ka ikur energjia në sallën e Kuvendit.
Deputeti Luçiano Boçi pretendon se masa që u mor nga Këshilli i Etikës për përjashtimin me 10 ditë të 8 deputetëve opozitarë ishte disiplinore dhe jo ndaluese.
Sipas Boçit, në këto 10 ditë përjashtim deputeti nuk merr pagën dhe nuk lejohet të kërkojë fjalë, por mund të ndjekë punimet e kuvendit.
Ai shtoi se tashmë parlamenti është policor dhe ka si qëllim të dënojë opozitën. “Masa ndaj nesh është disiplinore dhe jo ndaluese. Nuk merr pagën dhe nuk i konsiderohet aktiviteti parlamentar. Sipas logjikës së tyre duhet të mos takojmë as njerëzit. Nuk ka ndalim fizik. Unë nuk kam të drejtë të kërkoj fjalën për procedurë dhe të jap mendime në këto 10 ditë. Deputetët mund të ndjekin seancën. Nëse e thyen disiplinën, ka masë tjetër ndaj deputetit. Vendimi për përjashtimin tonë u mor në shkelje. Ky është një parlament policor, ka vrarë fjalën e lirë që synon të dënojë opozitën. Nuk ndodh në asnjë parlament që të përjashtohen 8 deputetë”, tha Boçi.
Përplasje mes deputetëve demokratë dhe gardës në derën e parlamentit

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, Flamur Noka, Luçiano Boçi kanë tentuar të hyjnë në ambientet e Parlamentit por kanë hasur në pengesën e gardës.
Deputetët të cilët kanë tentuar të hyjnë janë përjashtuar në seancën e kaluar për shkak të shkeljes së rregullores.
Ligjvënësit demokratë vijojnë të mbeten para dyerve të Kuvendit duke kërkuar që të hyjnë brenda mjediseve pasi sipas tyre ajo që po bën kryeparlamentarja Lindita Nikolla është krejt e paligjshme edhe pse ndaj tyre është marrë masa disiplinore e përjashtimit pasi bllokuan foltoren seancën e kaluar.
Ndërkohë, që qytetarë të shumtë i janë bashkuara protestës së thirrur nga opozita, ku kërkohet sërish dorëheqja e kryeministrit Rama, ashtu si gjatë së shtunës.

Back to top button