Pas kritikave, Qeveria deklarohet për vizitën e Kurtit në Greqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi nga data 5 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi, në të cilat kryeministri ka qenë pjesë e paneleve të diskutimit. Kështu ka sqaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një shkrim në Facebook, pas kritikave dhe dilemave që janë ngritur rreth qëndrimit të Kurtit në Greqi.
“Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota”, ka shkruar ai.
Sipas Kryeziut, sikur herave të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori.
Nga ana tjetër, sot Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje Kryeministrit Kurti që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të cilët sot janë në luftë për ekzistencë. Çitaku ka thënë se në krizën më të madhe ekonomike të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat./21Media

Back to top button