Pas largimit të vajzës nga lokali reagon Peci: Mendjen e kisha te bashkëbiseduesi, jo te lokali

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas publikimit të një video ku një vajzë e vogël largohej me forcë nga një lokal në Mitrovicë, në prani të tij.
Peci tha se vëmendja e tij ishte vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali.
”Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti.] Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali. Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ministri tutje ka shtuar se përkrahja per komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë.
”Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura. Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveç edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë”, ka shkruar Peci në Facebook./21Media

Back to top button