Pas rënies së qeverisë vjen reagimi i LDK-së

LDK: Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin

Sot pasi në Kuvend u votoua për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, përmes një komunikate për media ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky subjekt u bën thirrje qytetarëve që të jenë të qetë . Sipas kësaj partie vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është udhëhequr me hipokrizi dhe pabesi nga PDK-ja e Kadri Veselit.

“Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit.”, thuhet në komunikatë

LDK shkruan se me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj.

“Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proceset e tjera integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, për të cilat, siç po shihet në vazhdimësi, nuk është aspak i interesuar lidershipi i PDK-së dhe individë të caktuar në partitë opozitare.”, thuhet ndër tjerash në kumtesë./21Media

 

Back to top button