Pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun, Kurti: Dakordim i përbashkët që duhet të hiqen barrikadat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga Ambasadori i BE-së Tomas Szunyog, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se në takim është diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale.
Gjithashtu thuhet se në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes.
“Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”, citohet të ketë thënë Kurti./21Media

Back to top button