Pas vendimit të Kushtetueses reagon MAShTI: Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) janë deklaruar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas MAShT aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar.
“Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, thuhet në komunikatën e MShTI të cilën e ka publikuar në profilin e saj edhe ministrja Arbërie Ngavci.
Tutje thuhet se pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, “MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë.’
Gjykatës Kushtetuese ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës./21Media