Pasaporta e Kosovës në vendin e 101 të indeksit botëror

Me pasaportën e Kosovës mund të udhëtohet në 41 shtete të botës pa vizë, duke e radhitur atë në vendin e 101 të indeksit botëror të Henley Passport për vitin 2023.

Pasaporta e Kosovës është radhitur në të njëjtën pozitë së bashku me Bangladeshin dhe Libinë, nga 199 pasaporta të ndryshme të botës.
Në vitin 2022 pasaporta e Kosovës u radhit në vendin 104 por disa vite më herët, psh më 2010 ajo mbante vendin e 89-të në indeksin botëror të Henley Passport.
Pasaporta e Shqipërisë u radhit në vendin e 51-të dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në 115 shtete pa vizë.
Pasaporta japoneze zuri vendin e parë – qytetarët e Japonisë mund të udhëtojnë në 193 vende pa vizë, ndërsa pasaporta e Koresë së Jugut zuri pozitën e dytë (192 vende).
Në krye të listës janë edhe pasaportat spanjolle, italiane, gjermane, si dhe pasaportat e vendeve skandinave. Kur bëhet fjalë për vendet e rajonit, Sllovenia renditet e 11-ta dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në 182 vende pa vizë.
Shtatë vende pas pasaportës sllovene është ajo kroate (ata mund të udhëtojnë në 174 vende pa vizë). Pasaporta e Maqedonisë së Veriut mundëson hyrjen në 125 shtete pa vizë dhe radhitet e 44-ta. Pasaporta malazeze (124 shtete) vjen menjëherë pas pasaportës së Maqedonisë.
Në vendin e 49-të është pasaporta e Bosnjë-Hercegovinës (118 shtete pa vizë), ndërsa pasaporta e Serbisë zuri vendin e 38-të me të cilën mund të udhëtohet pa vizë me 136 shtete të botës. I fundit është radhitur Afganistani./21Media

Back to top button