Pasardhësja e Merkelit heq dorë nga partia

Ajo largohet nga gara për të zëvendësuar Merkelin si kancelare

Udhëheqësja e partisë qeverisëse në Gjermani, Annegret Kramp-Karrenbauer, nuk do të garojë për të zëvendësuar Angela Merkelin në pozitën e kancelares gjermane.

Annegret Kramp-Karrenbauer e ka marrë udhëheqjen e Unionit Demokristian në dhjetor të vitit 2018.

Ajo është parë si favorite për pozitën e kancelares nga viti 2021, transmeton 21Media.

Unioni Demokristian është kritikuar së voni për rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve rajonale në landin e Turingenit.

Disa demokristianë atje kanë bashkëpunuar me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), për zgjedhjen e kryeministrit rajonal.

Për partitë kryesore, bashkëpunimi me AfD-në konsiderohet tabu.

Asnjë kryeministër i ndonjë landi nuk është zgjedhur më herët me ndihmën e AfD-së.

Kramp-Karrenbauer, pas një takimi me anëtarët e Unionit Demokristian, tha se nuk dëshiron të udhëheqë më me partinë.

Siç raporton agjencia e lajmeve AFP, ajo tha se disa pjesë të Unionit Demokristian kanë “marrëdhënie të pazgjidhura” me të djathtën dhe të majtën ekstreme.

Ajo pritet të mbetet në pozitë derisa të përcaktohet zëvendësimi i saj gjatë verës./21Media

Back to top button