Pasuria marramendëse e Radojçiqit dhe Veselinoviqit

Dyshja nga Kosova, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq, nuk u gjendën fillimisht në qendër të vëmendjes së publikut për shkak të projekteve të tyre biznesore, por për shkak të dyshimeve të autoriteteve të Prishtinës për përfshirjen e tyre në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Mirëpo, ndërkohë, publiku u interesua edhe për suksesin e tyre afarist, i cili sipas NIN-it ishte aq i madh sa që e “tejkaloi” atë të arritur nga kompanitë e Miroslav Mishkoviqit.
Radojçiq dhe Veselinoviq janë pronarë të së paku katër kompanive në Serbi, disa prej të cilave janë të përfshira në projektet më të mëdha shtetërore në Serbi, shkruan portali N1 në Serbi.
Kompania e tyre “ombrellë” është Inkop nga Qupria, përmes së cilës ata hynë në botën e biznesit legal. Ata u bënë zyrtarisht bashkëpronarë të saj në vjeshtën e vitit 2018 dhe deri atëherë dyshohej se e kontrollonin. Siç kanë raportuar mediat, më parë Inkopin e ka udhëhequr Dushica Maksimoviq, motra e Zharkos dhe Zvonko Veselinoviqit. Sipas të dhënave nga APR, Zharko Veselinoviq tani zotëron 20 për qind të aksioneve në të, ndërsa 80 për qindëshi i mbetur ndahet në mënyrë të barabartë nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq.
Inkop ka qenë i përfshirë në projekte të mëdha shtetërore në disa raste, zakonisht si nënkontraktor. Në atë rol ai u gjend në ndërtimin e korridorit 11 dhe në atë korridor ishte përfshirë edhe kompania “Granit Peščar”, bashkëpronarë të së cilës më parë ishin Veselinoviqi dhe Radojçiq.
Sipas të dhënave nga raportet financiare, fitimi i Inkop-it është rritur dukshëm edhe gjatë vitit të kaluar. Siç thuhet, në vitin 2021, ajo kompani ka realizuar një fitim neto prej rreth 15.2 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 ka arritur në rreth 9.1 milionë euro.
Radojçiq dhe Veselinoviq kanë blerë “Novi Pazar put” tre vjet më parë përmes Inkopit. Siç ka shkruar Nova që atëherë, mesatarisht, kanë marr të paktën një punë në muaj dhe pothuajse në të gjitha rastet ajo ka qenë e vetmja ofertuese. Kjo kompani është angazhuar në disa raste nga qyteti i Novi Pazarit, pastaj Tutini dhe Rashka, por edhe nga Termocentrali i Beogradit, Ministria e Ekonomisë dhe Drejtoria Republikane për Pronë.
Veselinoviq dhe Radojçiq dhe disa nga kompanitë e tyre fillimisht u gjendën nën sanksionet e SHBA-së, me shpjegimin se i përkasin rrjeteve të korruptuara të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar. Britania e Madhe gjithashtu vendosi kohët e fundit sanksione kundër tyre.
Për Milan Radoiçiqin, britanikët pretenduan se ai përfitonte nga abuzimi me kontratat shtetërore dhe se ai përdori ndikimin e tij për t’i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të ndërtimit që zotëronte. Në shpjegim thuhej se Zvonko Veselinoviq përdorte kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore./21Media

Back to top button