PD: Dështim i rrezikshëm, mbi 160 mësues të infektuar në Shqipëri

 

Për Partinë Demokratike të Shqipërisë, qeveria nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me përhapjen e pandemisë në shkolla.

Përmes një daljeje nga selia blu, ish-deputetja Albana Vokshi u shpreh se Rama ka prioritet vetëm karrigen e tij, prandaj është fokusuar në ato që ajo i cilësoi si mashtrime elektorale.

“Me përfundimin e javës së dytë të vitit të ri shkollor, situata në shkolla në të gjithë vendin është përkeqësuar, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë as për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit, as për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Duke patur si prioritet karrigen e pushtetit të vet personal, Edi Rama është i fokusuar tek riciklimi i mashtrimeve elektorale të viteve të shkuara dhe ka lënë mësuesit e  nxënësit në mëshirë të fatit. Asnjë masë shtesë e marrë në shkolla për mbrojtjen e tyre. Asnjë qindarkë e investuar për një mësimdhënie më të mirë.”

Nga informacionet që disponojmë nga të gjitha shkollat e vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Përkundrazi! Drejtuesit militantë në shkolla e mbajnë të fshehtë informacionin, me qëllim që të mbulojnë dështimin e partisë në pushtet me hapjen e shkollave pa asnjë plan.

Sipas Vokshit, numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye: Tamponimi është bërë pak ose aspak dhe se Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes.

Vokshi shtoi se pas përfundimit të javës së dytë problemet kyçe janë 4:

Nuk respektohet protokolli i sigurisë së shëndetit.

Kushtet higjieno-sanitare vazhdojnë të jenë të mjerueshme.

Dezinfektimi midis turneve nuk bëhet dhe nuk sigurohen as maska, as dezinfektantë.

Mësuesit janë të mbingarkuar, duke rrezikuar uljen e cilësisë së mësimdhënies.

Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave të mos u binden urdhrave Edi Ramës, pasi sipas PD-së janë në dëm të shëndetit të mësuesve, të nxënësve dhe në dëm të cilësisë mësimdhënies. /oranews

Back to top button