PDK do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Zyrtarët Publikë, “i cili parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”.
Krasniqi përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur se misioni i ri i Qeverisë Kurti është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre.
“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij. Tani, përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai thekson se Ligji për Zyrtarët Publikë bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike./21Media

Back to top button