PDK: Jemi partia e parë në Kosovë, mbi 175 mijë vota për Kuvende Komunale

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka marrë numrin më të madh të votave në nivel vendi sa i përket garës për kuvendet komunale.

Në reagimin e saj, PDK thotë se ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit, ndërsa do të garojë në balotazh në gjashtë të tjera.

Në Prishtinë-t, PDK thotë se ka shënuar rezultatin më të mirë ndonjëherë për Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke u renditur e dyta me mbi 21 mijë vota, ndërsa kandidati për kryetar, Uran Ismaili, ka marrë mbi 28 mijë vota – rreth 10 mijë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021.

“Në tërësi, në garën për kryetar në nivel vendi, PDK ka dalë e dyta me 200 mijë vota”, thuhet në njoftim.

“Sa i përket votave të marra për Kuvendin Komunal të Prishtinës, PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë, duke u radhitur si parti e dytë me mbi 21 mijë vota, pa u numëruar ende të gjitha kutitë. Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar Uran Ismaili është radhitur i treti me 28 mijë e 588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021”, thuhet ndër të tjera nga PDK.

Rezultatet aktuale, si për kuvendet komunale ashtu edhe për kryetarët e komunave, ende nuk janë përfundimtare. Për shkak se në disa komuna procesimi i votave nuk ka përfunduar, mbetet mundësia për ndryshime në përqindje apo renditje.

Back to top button