PDK kërkon dorëheqjen e Avokatit të Popullit

 
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po kërkon dorëheqjen e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, pas refuzimit që ky i fundit i ka bërë ankesës së ish-kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka kundër vendimit të Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e KQZ-së.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e quajti të turpshëm vendimin e Avokatit të Popullit, me të cilin ky i fundit kishte refuzuar ankesën e Dakës me arsyetimin se e njëjta nuk ka ofruar dëshmi kundër vendimit të Presidentes.
“Nuk është Avokati i Popullit ai që duhet të vlerësoj kushtetutshmërinë e këtij akti. Avokati i Popullit është ai që i mbron të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës, dhe në këtë rast, do të duhej me e dërgu rastin në Gjykatën Kushtetuese. Nga sot atij veç ‘Avokat i Popullit’ nuk mundemi me i thënë, mundemi me i thënë ‘Avokat i Vjosa Osmanit, i Presidentes’. Unë nuk mendoj që ai e meriton me qëndru në atë pozitë, vlerësimet e tija janë të papranueshme. Vlerësimet se vendimi paska qenë në përputhje me Kushtetutën janë të papranueshme dhe mendoj se pas këtij akti të turpshëm, ai nuk do të duhej më qëndru në atë zyrë. Do t’i bënte nder edhe vetes edhe pozitës që me jep dorëheqje”, tha ai.
Tahiri tha se një shkelje e tillë është evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Ndërkohë që paralajmëroi se nuk do të ndalë përpjekjet për të siguruar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që lidhur me këtë vendim të Avokatit të Popullit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ani pse njëherë nuk kishte arritur t’i mbledhë.
“Kam pasur përpjekje të vazhdueshme dhe nuk kemi arritur dakordim. Unë nuk do të ndalem deri në ditët e fundit, sepse këtu kemi të bëjmë qartazi me shkelje kushtetuese. Nuk po e them vetëm si opozitë, këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit, prandaj deri në ditët e fundit do të merrem me këtë çështje”, shtoi ai.
Javën e kaluar, Avokati i Popullit ka refuzuar ankesën e Valdete Dakës, kundër vendimit të presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e KQZ, pasi vlerëson se e njëjta nuk ka ofruar dëshmi apo që ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes. Avokati i Popullit ka theksuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj.
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka pasi kishte dorëzuar ankesën e saj në Institucionin e Avokatit të Popullit tha se tani ky institucion ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj.  Daka ishte shprehur se nuk iu drejtua IAP-së më herët meqë kishte pritur që deputetët të bëjnë mbledhin nënshkrimet për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shkarkimin e saj. Ndërsa arsyetimet e Osmanit lidhur me shkarkimin e saj, Daka i kishte vlerësuar  se janë pa bazë ligjore. / 21Media

Back to top button