PDK kërkon dorëheqjen e Rozeta Hajdarit, shkak artikulli që promovon manastiret serbe

Shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi sot dorëheqjen e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ai bëri të ditur se nga kjo ministri, respektivisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA, ka promovuar Kosovën në Francë si “vend ku kanë lindur manastiret madhështore të Kishës Ortodokse serbe”.
“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetarë në Francë, ku më thotë ‘qysh është e mundur Qeveria e Kosovës me promovua Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret madhështore të Kishës Ortodokse serbe’. Në fakt për mua ke goxha e çuditshme, thash ‘mos e ke ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, sepse nuk besoj që Qeveria e Kosovës promovon Kosovën kështu’, dhe i nderuar ma dërgoi intervistën”, tha Tahiri para deputetëve, shkruan rtv21.tv
“Pra magazina ‘Petit Fute’, në Francë, në një vend ku ka rreth 50 milionë banorë, Qeveria e Kosovës promovon një artikull, në këtë rast ministria e Tregtisë dhe Industrisë – KIESA. Kolegë, file-in ia përcolla edhe shefave të grupeve parlamentare, edhe ju si deputetë mund ta keni. Kjo është një doktrinë e shtetit serb. Një promovim i një artikulli të tillë nga Qeveria e Kosovës, unë nuk di çfarë ka për me thënë më tutje në këtë rast Vuçiqi ose Jermeiq ose Tadiqi ose ai tjetri. A e shini se çfarë argumente ju jepni ju kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës, nesër në Këshill të Sigurimit me ta ngritë”, shtoi ai.
Tahiri tha se nga taksat e qytetarëve po sponsorohet artikull që shpërndahet nëpër botë.
“Kjo është skandaloze, e pa tolerueshme. Nuk ka deputet këtu që pajtohet, përpos deputetët e komunitetit serb, që pajtohet me qëndrim të tillë. Më e vogla që mund të ndodhë, nga një dëm që u bë në një vend me 50 milionë banorë, është dorëheqja e ministres”, tha Tahiri./21Media

Back to top button