PDK kërkon shkarkimin e ministres Hajdari

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët do të mblidhen të mërkurën për të shqyrtuar pikat e përfunduara nga seancat e kaluara, ndërsa të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ku do të shqyrtohen një sërë projektligjesh.
Në seancën e së mërkurës, PDK-ja do të kërkojë shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërkaq, do të diskutohet edhe raporti i komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se në dikasterin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka një mori skandalesh dhe është një gjendje e rëndë, rrjedhimisht, sipas tij duhet të shkarkohet edhe ministrja Rozeta Hajdari.
“Do të kemi një pikë të propozuar nga PDK-ja e cila do të trajtojë gjendjen mjaft të rëndë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Një mori skandalesh që kanë ndodhur për dy vite, dënimin për mos deklarimin e pasurisë së ministres. Ne kemi propozuar një rezolutë që kërkon shkarkimin e ministres nga kjo pozitë”, tha ai.

Back to top button