​PDK nga sot shkëput çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin dhe presidenten

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Kjo parti ka paralajmëruar bojkotin e Kuvendit të Kosovës dhe dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Me këtë të fundit dhe me presidenten, Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nga sot do të shkëpusin çdo komunikim zyrtar, përveç në rastet kur do të diskutohet shpallja e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Pas mbledhjes së këshillit drejtues, kreu i kësaj partie opozitare bëri të ditur se nuk do të votojnë në seanca plenare, e as në komisione. Ai nuk ka përjashtuar as protestat, derisa tha se çdo veprim demokratik duhet të merret parasysh.

“Ne nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejt të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit të Kosovës, sepse kjo shumicë parlamentare dhe zgjedhjet e kaluara nuk e kanë prodhuar këto institucione për të shkatërruar çdo raport të Kosovës me aleatët dhe partnerët perëndimorë. E dyta, ne nga sot nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës. As në komision e në as në seanca plenare, as ligje e as vendime, as rezoluta, as marrëveshje ndërkombëtare. Asgjë tjetër sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne nuk mund ta simulojmë normalitetin. Nuk do ta ndihmojmë këtë qeveri arrogante e që është në shpërputhje totale me realitetin në vendin tonë që të aktrojë normalitetin”, ka thënë Krasniqi.

Teksa theksoi se nuk do të komunikojnë zyrtarisht as me presidenten dhe kryeministrin, për të cilët tha se e kanë zbehur në nivele të pabesueshme raportin edhe me Shqipërinë.

“Nga sot ne shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani Sadriu. Përveç në situata emergjente e të jashtëzakonshme, si dhe për të diskutuar mbajtjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe të përgjithshme. Këta janë njerëzit që e kanë sjellë Kosovën me pa sanksione nga ShBA-të, këta janë njerëzit që kanë ndryshuar kursin euro-perëndimor dhe euro-atlantik të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, shtoi Krasniqi.

Pas mbledhjes së këshillit drejtues të partisë, kreu i PDK-së, është pyetur edhe për dorëheqjen e kryetarëve të komunave në veri, ku tha se dorëheqja nuk është zgjidhje.

“Ne do të marrim përsipër të gjitha përgjegjësitë që na takojnë për ta rikthyer normalitetin në pjesën veriore të vendit, sepse kryeministri Albin Kurti vetëm normaliteti nuk i konvenon. Ai është njeriu që i ka shkaktuar të gjitha këto kriza sepse nuk mundet të funksionojë në situatë normale. Por, sot dorëheqja nuk është zgjidhje. Zgjedhjet e reja sot nuk janë zgjidhje sepse nëse do të mbaheshin brenda 45 dite kush do të merrte pjesë aty”, shtoi ai para gazetarëve.

Në lidhje me mocionin për rrëzimin e qeverisë të propozuar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai tha se nuk e ka parë dhe nuk e dinë se cilat janë nënshkrimet.

“Ku është ky mocion se unë nuk po e shoh? Mocionin duhet me pa të shkruar në letër. Duhet me dit çfarë shkruan, çfarë thotë, me i pa cilat janë nënshkrimet. Nuk mjafton me ndërru temën. E kam thënë, mocioni sot është ndërrim i temës. Sot e dimë të gjithë që fatkeqësisht për këtë vend, opozita nuk i ka numrat. Nuk mjafton me shku në kuvend me 40 nënshkrime, me dështu, me i garantu tre muaj qeverisje Albin Kurtit. Tri ditë janë shumë, e ndoshta nuk do të mundim as pas tre muajve që ta shkarkojmë. Por prej sot do të bëjmë çmos brenda mundësive tona, që ta shkurtojmë jetën politike dhe qeverisëse kësaj qeverie dhe këtij kryeministri”, u përgjigj Krasniqi.

Për qëndrimet e PDK-së ndaj pushtetit, Krasniqi tha se nuk ka bashkërendim me partitë opozitare.

“Në këtë çështje nuk mund të them se ka një bashkërendim (me partitë opozitare). Unë mendoj se sot i Kosovës i duhet një lëvizje e përgjithshme mbi partiake e tej partiake, mbi politike e tej politike për ta ndalur rrënimin që është duke bërë Albin Kurti. Në këtë kuadër neve jo që nuk na pengon, por ne besojmë se të gjithë duhet të jenë bashkë në arritjen e këtij qëllimi fisnik. Sot është qëllim fisnik me ndalë sa më herët qeverisjen edhe pushtetin autoritar të Albin Kurtit”, theksoi kreu i PDK-së.

Kreu i PDK-së deklaroi se në dy muajt e fundit ka qenë në baza ditore në terren për të takuar qytetarët jashtë Prishtinës. Po ashtu, shtoi se ka takuar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, e sindikata ku tha se është bindur se nuk duhet të ndihmohen këto institucione.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor. Këto masa parashohin pezullimin e punës së organeve të MSA-së dhe programit të fondeve IPA dhe mos ftesa në ngjarje të nivelit të lartë.

Back to top button