PDK paralajmëron kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë nëse nuk zbatohet vendimi i Supremes

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.

Supremja të martën rrëzoi Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave në lidhje me pajisjet fiskale elektronike, ku mes tjerash thekson se ministrat, të cilët janë edhe deputetë, nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo bie ndesh me dispozitat kushtetuese

Gruda, në një konferencë për media të mërkurën tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.

“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.

Ai i bërithirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë, që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre, si dhe kërkon që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.

Madje ai paralajmëroi edhe kallëzim penal nëse të njëjtit nuk zbatojnë vendimin e Supremes.

“I bëj ftesë prokurorisë që të bëjë gjithçka që ky vendim të implementohet. Nëse ky vendim nuk implementohet individët, ministrat dhe kryeministri konsumojnë vepër penale dhe tani është detyrë e prokurorisë që zbatimi i këtij vendimi të ndodh në përpikëri… Çdo ditë që ky vendim nuk zbatohet konsumohet vepra e veçantë penale. Më nuk është debat politik. Çka do të bëjë PDK-ja është ftesa jonë për prokurorinë dhe tani kjo është çështje e drejtësisë… Nuk e përjashtoj mundësinë që të bëjmë kallëzim penal, mirëpo edhe deklarimi i sotëm i plotëson kushtet ligjore për t’u deklaruar si kallëzim penal”, përfundoi ai.

Qeveria në detyrë, pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, e ka cilësuar atë si arbitrar dhe si një interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore.

Këtë reagim Supremja e konsideroi si ndërhyrë në punën e gjyqësorit./kp

Back to top button