PDK pas aktakuzës ndaj Damkës: Duhet hetuar edhe Gërvalla e Liza Gashi

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për keqpërdorim të buxhetit shtetëror.
Deputetja nga PDK-ja Ariana Musliu Shoshi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një skandali që PDK e kishte denoncuar që më 1 qershor të vitit 2022, përmes një kallëzimi penal të dorëzuar bashkë me avokatin Faton Fetahu.
Megjithatë, Musliu-Shoshi e cilëson si të pashpjegueshme faktin që në këtë aktakuzë nuk janë përfshirë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, të cilat, sipas saj, kanë qenë përfituese direkte përmes organizatës “Germin”.
“Ajo që mbetet e pashpjegueshme është mos përfshirja në aktakuzë e dy protagonisteve kyçe të kësaj afere: zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla -Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, si përfituese direkte përmes organizatës Germin. Ajo marrëveshje, e realizuar me pëlqimin e znj. Schwarz, shkel katër ligje të Republikës së Kosovës dhe dëmton mbi 1 milion euro nga buxheti publik”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë deri në fund këtë aferë dhe të shqyrtojë me kujdes rolin dhe përgjegjësinë e çdo zyrtari të përfshirë në rast, përfshirë edhe Gërvallën dhe Gashin.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?