PDK premton rreth 30 milionë euro investime

Veseli tha se qeverisja e Vehapit do të jetë modeli i qeverisjes transparente për katër vitet e ardhshme

Rreth 30 milionë euro investime për sistemin e ujitjes së tokave për Komunën e Rahovecit i ka premtuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përderisa investimet e deritanishme i ka quajtur si investimet me hallall të institucioneve të vendit. Këto premtime i ka bërë në qytetin e Rahovecit me rastin e hapjes së fushatës dhe shpalosjes së programit qeverisës nga kandidati i këtij subjekti, Idriz Vehapi.

Veseli  tha se është lehtë të dalësh ballëhapur para qytetarëve të Rahovecit kur para tyre ndodhen përfaqësuesit më të mirë të tyre në krye Idriz Vehapin. Më tutje, Veseli tha se qeverisja e Vehapit do të jetë modeli i qeverisjes transparente për katër vitet e ardhshme. Ai ka premtuar bursa të plota për studentët me notë mesatare 8, praktikë gjatë studimeve, ndërsa për ekonominë është zotuar se do të punojnë për të sjellë ligjin për tregti të brendshme.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për komunën e Rahovecit, Idriz Vehapi tha se programi i Partisë Demokratike është programi më i mirë për Komunën të cilën e ka udhëhequr vet ai në 4 vjetët e fundit.

Vehapi ka numëruar disa nga të arriturat që ka shënuar Komuna e Rahovecit sa ishte nën udhëheqjen e tij, ndërsa ka kërkuar ndihmën e institucioneve të shtetit për të ndihmuar në formimin e një agro-zone biznesore. Ai ka premtuar se do të angazhohet me gjithë potencialin e tij në ndërtimin e rrugës që lidh Rahovecin me rrugën e kombit.

Back to top button