PDK pret që deri të enjten e ardhshme të shpërndahet Kuvendi

Partitë opozitare ende nuk kanë arritur një konsensus për formën e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Në PDK thonë se po tentojnë t’i bindin LDK-në dhe AAK-në që t’i bashkohen nismës për shpërndarjen e Kuvendit duke pritur që shpërndarja të ndodh deri të enjtën e ardhshme. Por këto të fundit vazhdojnë ta mbajnë të njëjtin qëndrim, për dorëheqje të kryeministrit LDK-ja dhe për shkarkimin e qeverisë, AAK-ja.
Partia Demokratike e Kosovës pret që deri sot një javë të ndodh shpërndarja e Kuvendit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, por që ende nuk ka marrë mbështetjen e dy partive të tjera opozitare për këtë çështje.
Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj bëri të ditur se përpjekjet për ta bindur LDK-në dhe AAK-në për shpërndarjen e Kuvendit janë duke vazhduar.
“Jemi ende në konsultime të vazhdueshme me partnerët e opozitës dhe mendoj që kryetari ..janë duke bërë çdo gjë t’i bindin LDK-në dhe AAK-në t’i bashkohen PDK-së për nisëm për shpërndarje të Kuvendit dhe mendoj që çdo mendim ndryshe është i gabuar e duhet ta dërgojmë këtë qeveri s amë shpejtë. Ne presim që kuvendi të shpërndahet maksimum deri ditën e enjte të javës së ardhshme meqë pastaj s’ka ndonjë kuptim. Ne dëshirojmë dhe kërkojmë që zgjedhje të mbahen në ditët e fundit të qershorit eventualisht 7 korriku”, tha ai për rtv21.
Në LDK, ndërkaq, insistojnë për dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Deputeti i kësaj partie Armend Zemaj thotë se do të përdorin çdo metodë për ta detyruar kryeministrin të dorëhiqet në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“LDK-ja jo vetëm që mendon por beson se është tepër parimore, shumë demokratike që kur një qeveri dështon në qeverisje… kur ka stagnim në çdo sferë atëherë e vetmja arsye që do të duhej të mbizotëronte është dorëheqja e kryeministrit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Çdo iniciativë tjetër është rënie në grackë në paaftësinë e kësaj qeverie dhe keqmenaxhimin e tri viteve qoftë parasë publike apo Kosovës në tërësi. Ne do ta detyrojmë këtë kryeministër që të jap dorëheqje, ka metoda demokratike që pamundësojnë vazhdimin e këtij mashtrimi. Metodat tjera do t’i shini në vazhdim”, tha Zemaj.
I pandryshuar mbetet edhe qëndrimi i AAK-së për shkarkimin e qeverisë. Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë se shpërndarja e Kuvendit është eksperiment.
“Aleanca ka tash e dy vite qëndrimin e saktë, kemi një mocion për shkarkimin e qeverisë së shohim të nevojshme që për pak muaj të bëjmë një eksperiment që më pas do të përdoret nga kryeministri si viktimizim është mirë që kjo qeveri të ballafaqohet me mandat të plotë t’vetë. Nuk jemi në pozicion kushtëzues me PDK-në jemi në pozicion të përbashkët me PDK, dallim i vogël me PDK-në është vec që ata po duan sa me shpejtë më shku në zgjedhje ne po duam ta ballafaqojmë, por ne në opozitë jemi bashkë e patë edhe sot dhe besoj se në qeverisjen e ardhshme do të jemi bashkë”, tha Tahiri për rtv21.
Në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësojnë se forma më e lehtë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme do të ishte dorëheqja e kryeministrit, por një gjë e tillë aktualisht është e pamundur. Sipas Eugen Cakollit nga ky institut, opsioni me gjasa më të mëdha për të shkuar në zgjedhje është shpërndarja e Kuvendit.
“Aktualisht ka rrugë të kufizuara kushtetuese si mund të shkohet në zgjedhje të reja. Opsioni më i lehtë në kuptimin procedural do të ishte dorëheqja e kryeministrit por që në bazë të deklarimeve dhe situatës është e pamundur të ndodh në rrethanat aktuale…që i bie janë dy mundësi, shkarkimi ose shpërndarja për të paren ndonëse nevojitet me pak vota situata është e komplikura…shpërndarja e Kuevndit që duhen me se shumti vota është opsioni më më së shumti gjasa që të ndodh”, tha Cakolli.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka ofruar mbështetje formës për shpërndarje të Kuvendit kurdo që opozita të bashkohet në këtë nismë në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?