PDK: Pushteti po e thellon krizën e varfërinë

Blerand Stavileci nga PDK në konferencën e sotme për media ka thënë se “pushteti mosdëgjues po e thellon krizën dhe varfërinë në Kosovë”.
Sipas Stavilecit, rritja e pagave dhe tërheqja e 30% të kursimeve nga Trusti janë zgjidhje për ndalimin e “varfërisë” në vend.
Anëtari i PDK-së ka thënë se tash e dy vjet qytetarët po përballen me kriza e vështirësi të njëpasnjëshme.
“Nisi me pandeminë, vazhdoi me energjinë elektrike, me reduktime dhe shtrenjtime, dhe tani e sa muaj me ngritje marramendëse çmimesh dhe rekorde të zeza inflacioni. Sot si asnjëherë më parë që nga çlirimi, familjet po varfërohen muaj pas muaji dhe gjendja e tyre po rëndohet orë e çast. Buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet me shpejtësi të madhe, çmimet po rriten me shpejtësi edhe më të madhe e shporta po pakohet drastikisht me prodhimet bazë të jetesës”, ka thënë Stavileci.
Para gazetarëve, Stavileci prezantoi shifra për gjendjen e familjeve në Kosovë.
Ai bëri një krahasim mes gjendjes në vitin 2019 dhe tash në vitin 2022.
“Më lejoni t’ua prezantojë të dhënat e fundit në kohë reale për shportën e prodhimeve bazë për të jetuar. Në këtë krizë të madhe ekonomike, të gjitha familjet po mundohen ta gjejnë rrugën e ekzistencës, e edhe aktorët e tregut atë të mbijetesës për t’i mbuluar shpenzimet dhe për t’i kryer obligimet ndaj shtetit”, ka thënë Stavileci.
Stavileci u shpreh se “nuk bëhet qeverisja duke abstenuar” – duke iu referuar partisë në pushtet.
“Nuk zgjidhen krizat duke i shpërfillur e thelluar. Nuk ndihmohen familjet duke i varfëruar. Familjet kosovare, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar. Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajo”, ka thënë Stavileci.
Stavileci shtoi se do të vazhdojnë punën për gjetjen e rrugëdaljes, siç thotë ai “për ta kthyer fuqinë blerëse të familjeve.
“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. Rritja e pagave, rritja e pagës minimale mbi 300 euro dhe tërheqja e Trustit”, përfundoi Stavileci./21Media

Back to top button