PDK: Qeveria dështoi ta zbatojë ligjin në veri dhe dëmtoi partneritetin me SHBA-të

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, tha të shtunën se vendimi për targat vërteton përsëri faktin se kryeministri Albin Kurti po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij.
PDK vlerëson se Qeveria Kurti po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.
“I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë i fokusuar në çështjen se a do të zbatohet vendimi legjitim i qeverisë nga data 1 nëntor, apo do të aprovohet kërkesa e SHBA-ve për shtyrje të zbatimit të vendimit për 10 muaj. Në fund, kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë zbatimin e vendimit për gati 6 muaj, duke u tërhequr nga qëndrimi i tij, por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në këtë situatë, qëllimi i qeverisë do të duhej të ishte ose zbatimi pa shtyrje të mëtejme i vendimit legjitim në funksion të sundimit të ligjit edhe në veri të vendit, ose koordinim i plotë me partnerët ndërkombëtarë për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në procesin e Dialogut. Por, me vendimin e qeverisë nuk u arrit asnjëri nga këto qëllime”, tha Nikaj në një konferencë për media.
Nikaj tha se “mbështesin çdo veprim legjitim e kushtetues të Qeverisë e të institucioneve shtetërore për shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës”.
“Si PDK shprehim shqetësimin dhe mospajtimin tonë me këtë qasje injoruese dhe mosbashkëpunuese me shtetin më të rëndësishëm për perspektivën zhvillimore të vendit tonë. Kjo vlen edhe për raportet tona me shtetet kyçe të Bashkimit Evropian. Përderisa kemi mbështetur dhe mbështesim çdo veprim e vendim legjitim e kushtetues të qeverisë e të institucioneve shtetërore për shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të Kosovës, ne besojmë se këto qëllime më së miri arrihen duke pasur komunikim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Nikaj.
Për zhgënjimin e partnerëve e SHBA-ve në lidhje me vendimin për targat, Nikaj tha se kjo s’ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën.
“Tani as nuk do të ketë targa RKS në veri ndërsa zyrtarisht SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë. Një situatë të tillë në raport me SHBA-në Kosova nuk e ka pasur asnjëherë në të kaluarën. Në kontekstin aktual gjeopolitik është e domosdoshme pjekuria shtetërore për të koordinuar veprimet me aleatët tanë ndërkombëtar”, tha Nikaj.
PDK-ja i kërkoi Qeverisë që ta bëjë publik propozimin franko-gjerman.
“Qeveria duhet ta shpjegojë dhe të jetë transparente rreth asaj se çka përmban ky propozim. Duhet të marrë vendim dhe pozicion se cili është pozicioni i Qeverisë në raport me të. Ne përkrahim procesin e dialogut dhe cfarëdo rruge i cili sjell te një marrëveshje gjithpërfshirëse me njohjen në qendër”, ka thënë Nikaj./21Media

Back to top button