PDK: Qeveria Kurti e deputetët e saj dëshmuan se janë kundër kërkesave të qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas mos kalimit të projektligjit për mundësimin e tërheqjes të 30 për qind të mjeteve të qytetarëve nga Trusti, duke thënë se deputetët e pushtetit aktual dëshmuan nuk janë i shërbejnë popullit, por kryeministrit Albin Kurti.
Në një komunikatë për media thuhet se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk i dëgjuan kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë.
“Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre. Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jo kompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare”, thuhet në komunikatë.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.
“Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova”, thuhet tutje në komunikatë.
Në reagimin e PDK-së thuhet se do të vazhdojë të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre, dhe do të vazhdojë të kërkojë nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes.

Back to top button