Presidentja ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të producentes, Vjosa Berisha

1 min read

Ka vdekur sot producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha, e cila po trajtohej në Angli pas diagnostikimit me kancer.

Lajmi u bë i ditur nga bashkëshorti i saj Fatos Berisha i cili shkruan se Vjosa, e cila po merrte mjekim në spitalin “University College Hospital” në Londër ndërroi jetë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen Berisha për humbjen e Vjosës.

Presidentja tha se Vjosa Berisha ishte model i gruas së guximshne e stoike.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të producentes së filmave, Vjosa Berisha. Ajo ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike, ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë. Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe i cili do të mbetet simbol me të cilën do ta kujtojmë përherë. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Berisha! I përhershëm qoftë kujtimi për Vjosa Berishën!”, thuhet në reagimin e Presidentes.

Vjosa Berisha, verën e vitit të kaluar në 21 Gradë të RTV21 pati treguar se fati e ka vënë përballë një sfide, ku në muajin mars të vitit 2021 ishte diagnostikuar me kancer në vezore./21Media