PDK: Qytetarët e Dragashit në diasporë do të rikonfirmojnë vullnetin e tyre
Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen. Po ashtu ka vendosur që diaspora nga kjo komunë të votojë sërish dhe në bazë të atyre votave do të zgjidhet edhe kryetari i ri i komunës.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e mirëpret këtë vendim të Gjykatës Supreme
“Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme dhe pret që riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani. Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune”, thuhet në reagimin e PDK-së, duke ftuar Prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit.
Kandidati i PDK-së për Dragashin, Shaban Shabani, kishte bërë ankesë më 17 nëntor në PZAP se në rundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulim të zgjedhjeve të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.
Pa votat e diasporës, Shabani i PDK-së kishte 47 vota më shumë, mirëpo pas numërimit të votave të diasporës, përpara me vota doli Xheladini i LDK-së./21Media