Peach: Kosova ka të drejtë sovrane për moslejimin e zgjedhjeve serbe

Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votën e serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
Ai gjithashtu ka theksuar se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, por sipas tij “mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast, vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, në një intervistë për Vjestin ai ka thënë se ka vetëm një mënyrë të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, ajo është përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces dhe unë personalisht, si i dërguar, punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se në fund të fundit ky proces u përket këtyre dy vendeve. Ata duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit të Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme dhe të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është e qartë se gjetja e një zgjidhjeje është në interes dhe kontribuon në sigurinë e të gjithëve në rajonin më të gjerë. U bëj thirrje liderëve të të dyja palëve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive”, ka thënë ai./21Media
Back to top button