Peci: Bujqit në Kosovë më të përkrahurit krahasuar me rajonin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë vizituar të dielën fermerin Fazli Beqiraj në Sopi të Suharekës, i cili posedon rreth 60 hektarë grurë.
Sipas ministrit Peci, bujku kosovar,” falë mbështetjes së Qeverisë Kurti 2, për vetëm një vit udhëheqje është bujku më i përkrahur krahasuar me vendet e rajonit”.
“Qeveria ka prioritizuar bujqësinë duke rritur përkrahjen deri në 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022, ku teksa flasim, procesi i kontrollës administrative dhe asaj në teren po vazhdon. 1 ha me grurë këtë vit do të subvencionohet me rreth 474€, duke përfshirë për herë të parë subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës prej 0.36 cent si dhe plehërimin pranveror me 150€ për hektarë.
Poashtu, bujqit kanë mundësinë e subvencionimit për rendiment të grurit me 0.03 cent për kilogram, përmes dorëzimit në mullinj. Kultura e grurit ka një rritje prej 216% të mbështetjes financiare krahasuar me qeverisjet e kaluara”, ka shkruar Peci në “Facebook”.
Ai tutje ka thënë se këtë vit presin edhe rendiment më të lartë falë kushteve të volitshme klimatike që kanë mbizotëruar.
“Djersa e bujkut është dukati me të cilën paguajmë bukën e përditshme andaj duhet vlerësuar maksimalisht. Bukë, krypë e zemër të bardhë”, ka thënë ai./21Media

Back to top button