Peci: Nëse fiton e djathta në Spanjë mund të ketë komplikime për Kosovën

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, njëherit drejtor i Institutit KIPRED, ka deklaruar se në rast se fiton e majta e Spanjës në zgjedhjet e përgjithshme, mund të ketë qasje fleksibile për Kosovën.

Ai, me anë të një postimi në “Facebook”, ka deklaruar se nëse të djathtit e Spanjës dalin të parët, atëherë ndaj Kosovës do të jetë një qasje e ngurtë.

“Nëse e majta fiton sot në zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë, mund të pritet një qasje fleksibile e Madridit ndaj Kosovës, mirëpo nëse fiton e djathta, mund të pritet rikthimi në pozicionin e ngurtë, në mos më të vrazhdë se ish-qeveria e Rajoy-it. Astrologjia e rrethanave ndërkombëtare për Kosovën, në këtë rast, do të komplikohet edhe më tutje!”, ka thënë Peci.

Votuesit spanjollë do të shkojnë të dielën drejt vendvotimeve në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Evropian që do të kalojë nga e djathta.

Kryeministri Pedro Sanchez ka thirrur zgjedhje të parakohshme, pasi Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos (Bashkë Mundemi), u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga viti 2018.

Shumica e anketave të opinionit për zgjedhjet e 23 korrikut e kanë vënë Partinë Popullore të krahut të djathtë, e cila ka fituar zgjedhjet në maj, para socialistëve të Sanchezit, por kanë parashikuar se asaj do t’i duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar një qeveri, raporton AP.

Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle për herë të parë që kur vendi kaloi në demokraci, në fundin e viteve ’70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button