Pendarovski: Duhet të mbesim në binarët evropian

Derisa Komisioni Evropian pret përgjigje nga Maqedonia nëse do ta pranojë propozimin francez për start të negociatave, opinioni vendas ende në dilemë nëse me këtë propozim do të mundësohet që kërkesat bullgare vazhdimisht të jenë pengesë gjatë procesit negociues. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në emisionin e mbrëmshëm “Click Plus” tha se propozimi që e kemi në tavolinë nuk e cenon identitetin maqedonas dhe është mirë të qëndrojmë në binarët evropianë.
“Unë them – le të mbesim pro-formë në binarët evropianë me këtë propozim, do të kemi një vit për skrining, një vit e gjysmë, e pastaj kur do të vijmë te Kushtetuta do të ketë zgjedhje, kush do të fitojë do të vazhdojë me këtë punë. BE-ja ende është, e theksoj këtë fjalë, ende është opsioni më i mirë për të gjithë ne, për Maqedoninë e Veriut, sepse një vend i vogël, pavarësisht ku ndodhet. Ne jemi një rajon i turbullt, i ngarkuar me shumë histori, emocione, me varfëri të thellë, me shpërngulje të madhe të të rinjve dhe nuk ka shans që vetë t’i kundërshtojë tendencat globale”, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski.
Megjithatë, Pendarovski shprehet i bindur se me hapjen e negociatave, sërish do të kemi bllokada nga Bullgaria. “Në qoftë se gjatë bisedimeve për figurat historike nuk ndryshojnë tekstet shkollove, atëherë menjëherë do të ketë veto nga ana bullgare”, thotë ai.
“Komisioni i përbërë nga 7 maqedonas dhe 7 bullgarë po debaton. Nëse të dyja palët bien dakord, ata dërgojnë rekomandime deri te të dyja qeveritë. Nëse të dyja qeveritë pajtohen, nevojitet pëlqim reciprok… e dërgojnë në ministrinë kompetente, të themi në MASh, nëse flasim tekstet shkollore…
Sepse në marrëveshjen e vitit 2017 me Bullgarinë nuk shkruan se atë që do ta konkludojë Komisioni, është punë e kryer.
-E çka nëse nuk gjejnë?
-Atëherë do të ketë bllokadë, veto nga Bullgaria. E jo vetëm për këtë…”– pohoi Stevo Pendarovski.
Por, sipas raportit të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë lidhur me propozimin francez, zbatimi i Marrëveshjes dhe Protokollit nuk është kusht formal për hapje dhe mbyllje të klasterëve të Maqedonisë me BE-në. Përveç kësaj, sipas tyre, segment negativ i këtij propozimi është edhe formulimi i qartë i gjuhës maqedonase:
“Në kornizën negociuese të Presidencës franceze, lejohet të ketë referencë të qartë për të ashtuquajturën “gjuhën maqedonase”. Draft-korniza negociuese nuk korrespondon me Pozicionin Kornizë të vitit 2019, sepse zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Protokollit nga Neni 12, nuk janë kriter formal për hapje të mbyllje të kapitujve të negociatave. Nuk është paraparë roli i Këshillit të BE-së (gjegjësisht Bullgarisë) gjatë vlerësimit lidhur me atë nëse Republika e Maqedonisë së Veriut e zbaton Protokollin dypalësh, por ky vlerësim është lënë në duart e KE-së”, thanë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
Gjatë javës që vjen pritet që Kuvendit i Maqedonisë të debatojë rreth propozimit francez, pas çka pritet të miratohen edhe konkluzionet./21Media

Back to top button