Pendarovski: E kam përsëritur qëndrimin tim, amnisti për 27-prillin nuk do të ketë

 

“E kam përsëritur qëndrimin tim, se amnisti për personat që kanë kryer vepër penale pa precedent, veçanërisht në Evropë, nuk vjen parasysh për shkak se faji i tyre në atë proces u vërtetua në mënyrë të pakontestueshme. Sa i takon kualifikimit, ata nuk u dënuan për terrorizëm, por për rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Kështu ka hedhur poshtë presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, mundësinë që të ketë amnisti për ngjarjet e 27 prillit të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ka njoftuar, se edhe pse ka qenë një ngjarje, dhe të gjithë personat fajtorë kanë qenë pjesë e të njëjtës turmë, sërish ka pasur kualifikime të ndryshme të veprave penale.

“Ka aktgjykim edhe për njerëzit që ishin pjesë e turmës së njëjtë që ka hyrë në Kuvend dhe e kanë rrahur Ziadin Selën. Nëse ndiqet kualifikimi juridik, do të thotë tërë kohën flas për kualifikim juridik, jo për interpretime politike të aktgjykimeve. Nëse ndiqet kualifikimi juridik i atij aktgjykimi, ata njerëz u dënuan dhe me të drejtë fituan dënime të larta, por nuk u dënuan për veprën penale terrorizëm, por për “vrasje në tentativë”. Apo për shembull rasti me deputeten në atë kohë, Radmilla Shekerinska. Ato pamje na tmerruan të gjithëve, dhe vepra nuk u gjykua si “terrorizëm”, por “dhunë””, ka thënë Pendarovski./TV21.

Back to top button