Peniani dhe Seuli ashpërsojnë retorikën dhe veprimet destabilizuese

Koreja e Jugut testoi me sukses një raketë balistike të lëshuar nga një nëndetëse, duke u bërë shteti i shtatë në botë me një armatim të tillë. Synimi ishte që të përmirësojë aftësitë kundërpërgjigjëse ndaj regjimit komunist të udhëhequr nga Kim Jong Un.
Kjo erdhi në të njëjtën ditë kur Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike në brigjet e saj lindore, duke shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Disa ditë më parë vendi komunist testoi dhe një raketë tjetër bërthamore.
Kjo garë armatimesh ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje.
“Po e ndjekim situatën nga afër. Kina është përkushtuar gjithmonë të ruajë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean, duke insistuar në arritjen e çarmatimit bërthamor dhe zgjidhjen e çështjeve përmes dialogut. Kina shpreson që palët të shkojnë drejt zgjidhjes politike, të vetëpërmbahen nga testimet dhe të zhvillojnë dialog.”, u shpreh Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Madje Kina është angazhuar drejtpërdrejt në gadishull. Ministrat e jashtëm të Pekinit dhe Seulit mbajtën një takim për të diskutuar shqetësimet për testet e Koresë së Veriut dhe rikthimin e negociatave për çarmatim bërthamor mes Penianit dhe Uashingtonit. Lidhur me zhvillimet e fundit shqetësim ka shprehur dhe Japonia./21Media

Back to top button