Për 5 mijë euro lëshoi çertifikata fals, arrestohet zyrtari i UP-së

Dyshohet për lëshim çertifikate fals në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Pas një hetimi njëmujor, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) e Prishtinës, ka arrestuar sot dy të dyshuar për përfshirje në veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, falsifikim i dokumentit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, falsifikim i dokumenteve.

Policia bën të ditur se më 26.12.2018 kishte pranuar një informatë nga Fakultetit i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike-Universiteti i Prishtinës, se personi i dyshuar A.L. (1982)  ka dorëzuar dy certifikata të falsifikuara për marrjen e diplomës, me arsyetimin se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP.

“Pas hetimit të rastit, policia ka siguruar prova materiale se i dyshuari kryesor i rastit është zyrtari i UP-së, i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike A.J. (1986) mashkull kosovar-shqiptar, i cili në shpërblim prej 5 mijë eurove, në mënyrë të kundërligjshme ia ka lëshuar certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve të dyshuarit të parë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se, me këtë rast si prova materiale janë konfiskuar një kompjuter edhe dy telefona mobilë, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Agjencionin e Forenzikës, ndërkohë që me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Prishtinë, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Back to top button