“Për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë”, Çeku flet për stadiumin e Suharekës

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e stadiumit të Suharekës.
Më 21 shtator të këtij viti, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj e publikoi projektin për ndërtimin e stadiumit në komunën e tij.
Projekti ideor për ndërtimin e këtij stadiumi ekziston sipas Muharremajt, dhe i takon kategorisë së katërt me plot 17 mijë ulëse.
Tani, për këtë ka folur ministri Çeku, i cili tha se ky projekt as nuk ka arritur në MKRS, ndërsa shtoi se nuk përkon me kategorinë ku është listuar në listën e MKRS-së për stadiume.
Më tej, i pari i MKRS-së tha se për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë, ndërsa zbuloi se po formohet një grup koordinues mes FFK-së, MKRS-së dhe komunave.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj kishte bërë të ditur se ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK.
Po ashtu, Muharremaj tha se ekziston projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.