Vitia: Lista të pritjes mbi 1 vit ka vetëm në Kirurgjinë Vaskulare dhe Ortopedi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se për rastet urgjente nuk ka lista të pritjes në QKUK dhe as në spitalet e përgjithshme rajonale.

Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, në kuadër të pyetjeve parlamentare, tha se listat e pritjes mbi 1 vit janë vetëm në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe asaj të Ortopedisë.

Pasi u pyet nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ministri i Shëndetësisë tregoi në detaje përqindjen e listave të pritjes nga 1 javë deri në 1 vit.

“Përmbi 1 vit janë vetëm dy klinika që kanë lista të pritjes, është Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopodedia. Kurse pjesa tjetër, një pjesë e madhe 0.2 për qind është deri në një javë, 18.5 për qind është deri në një muaj, 1.8 për qind është deri në dy muaj, 2.1 për qind deri në tre muaj po flas në total, kurse 23 për qind është 1 deri 5 muaj, 11 për qind është 1 deri 6 muaj, 11 për qind është 11.6 muaj dhe 15 për qind është deri në 1 vit, pa e përmendur atë pjesën tjetër që shkon mbi 1 vit. Kurse ju siguroj edhe juve dhe qytetarët që të shkoni të vërtetoni. Secili rast urgjent nuk ka asnjë ditë apo orë të pritjes si rast urgjent as në QKUK dhe as në spitalet e përgjithshme në regjione”, tha ai.

Në anën tjetër ministrat e kabinetit qeveritar vazhduan të mospërgjigjen në pyetjen e deputetëve të PDK-së, për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pasi u pyet nga deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha për ndërtimin e çerdheve të reja, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ka rezultate pozitive në këtë temë, mirëpo për shkak të qëndrimit të PDK-së për marrëveshjen ndërkombëtare nuk mund të jap përgjigje të detajuar.

“Ndonëse pyetja adreson një temë me rëndësi dhe ne kemi shumë rezultate në këtë drejtim, por për shkak të qëndrimit që derisa deputetët e PDK-së të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, unë nuk mund të jap përgjigje të detajuar. Ju ftoj të votoni të gjitha marrëveshjet që janë me interes për qytetarët”, theksoi ajo.

Mirëpo, deputetja Hoxha kritikoi ministren Haxhiu, teksa i tha se ajo është e obliguar t’iu jep përgjigje deputetëve.

“Unë nuk kuptoj pse vjen ministrja këtu nëse refuzon me dhënë përgjigje në pyetjet që janë e drejtë kushtetuese. Ju jepni llogari ministre në këtë Kuvend. Kështu është i rregulluar ky shtet”, theksoi deputetja Hoxha.

Pas kësaj deputetët opozitarë, të cilët nuk ishin në numër të madh lëshuan sallën plenare dhe seanca plenare po vazhdon me vetëm pesë deputetë të mazhorancës, të cilët po bëjnë pyetje karshi disa ministrave të qeverisë.

Back to top button