“Për Kosovën ShBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën si komb e si shtet”

Me rastin e 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot ka dërguar mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane.
Në mesazhin e urimit në 245 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abdixhiku tha se për Kosovën ShBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën e saj.
“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës e uroj Qeverinë dhe popullin e SHBA-ve, për Ditën e Pavarësisë – 4 Korrikun. Sot, ShBA-të festojnë ditën e pavarësisë, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme në përpjekjen e popullit amerikan drejt arritjes së synimeve dhe idealeve për liri dhe pavarësi. Që nga ai moment Shtetet e Bashkuara në politikën botërore mbajnë flamurin e lirisë dhe demokracisë. Për Kosovën ShBA-të ishin dhe janë aleati jetik në ekzistencën tonë si komb dhe si shtet. Në momentet më kruciale kur populli ynë po ballafaqohej me jetë apo vdekje, Shtetet e Bashkuara vepruan në mbrojtjen e idealit për liri dhe çlirim, ideal dhe synim që e kanë të brumosur në vet gjenezën e tyre si shtet nga etërit themelues. Kosova në gjithë këtë rrugëtim deri më sot, ka arritur falë mbështetjes së pa rezervë të ShBA-së, fillimisht në luftën për liri e më pas edhe në shpalljen e pavarësisë dhe tani e tutje në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. ShBA-të mbeten vendi mik më i mirë i Kosovës, si dhe raportet tona të ngushta nuk lejojmë asnjëherë të zbehen. Përjetësisht mirënjohës! Zoti i Bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikës”, është bërë e ditur në mesazhin e Abdixhikut.
Ndryshe, 4 korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarreve.

Back to top button