MSh: Vaksinat kundër Covid-19 kanë afat të mjaftueshëm përdorimi

Ministria e Shëndetësisë sot ka bërë të ditur se të gjitha vaksinat kundër Covid-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi.
”MSH i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjtha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt”, ka informuar ministria në komunikatë.
Ministria e Shëndetësisë i ka hedhur poshtë të gjitha dezinformatat nga persona të ndryshëm se vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë nuk kanë afat të gjatë të përdorimit.
”Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë”, është bërë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Back to top button