Për një ditë mbi 700 euro të falsifikuara në Kosovë
Gjatë 31 janarit në Policinë e Kosovës janë raportuar tri raste të falsifikimit të parave.
Një rast ka ndodhur në Prishtinë, një në Fushë Kosovë dhe një në Gjilan.
Rasti i parë është raportuar nga një zyrtare e një banke private në rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Ajo i ka thënë Policisë se gjatë numërimit ka hasur në një monedhë prej 100 euro të falsifikuar. Monedha është konfiskuar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër është raportuar po ashtu nga zyrtar i një banke në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë. Gjatë numërimit ai ka hasur në disa monedha të metalit të falsifikuara. Sipas Policisë janë konfiskuar 461 euro.
Edhe një zyrtar i bankës private, në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan ka informuar se një grua e dyshuar ka deponuar një kartmonedhë prej 200 euro të falsifikuara.
Sipas Policisë, monedha është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Agjencia e Kosovës për Forenzikë për portalin rtv21.tv ka thënë se gjatë vitit 2021 në Kosovë janë identifikuar 5 mijë e 718 kartmonedha false. Shuma e këtyre kartmonedhave ishte mbi 550 mijë euro./21Media